Reforma për komunat e vogla

Komuna të tilla në të cilat jetojnë një numër i vogël banorësh ka plot, por me kamerën tonë kemi shkuar në dy prej tyre; në Novoselë të Ersekës si dhe në Ngraçan të Fierit, zona këto të thella ku jetojnë nga 1000 deri në 1050 banorë. Novosela është një komunë me 10 fshatra të cilat shtrihen në një territor të gjerë, por shumë pak të zhvilluar ku jetojnë 1018 banorë. Adriatik Kambo është kryetar i komunës, që prej vitit 2007. Ai thotë se komuna ka një fond vjetor prej 8.5 milionë lekësh, që shkon për pagat e administratës. Kurse për para që mblidhen apo për investime as që bëhet fjalë. Mungesën e shërbimeve për komunitetin e shprehin edhe banorët, por dhe infrastruktura e dobët, që ka qenë shkak që popullsia e kësaj zone të zhvendoset drejt qytetit apo rajoneve të tjera më të zhvilluara. Një panoramë e ngjashme është edhe në komunën Ngraçan të Fierit, në të cilën në bazë të statistikave të gjendjes civile jetojnë 1050 persona. Banorët atje thonë se komuna nuk ka kryer kurrë investime dhe në kushte të tilla nuk ka pse qëndron administrata e saj. Ndërsa përgjegjësi i zyrës së financave në këtë komunë, Lavdosh Kasa thotë se komuna nuk nxjerr shumë të ardhura.

 




Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com