Ikën gjeneral Sander Lleshi

Ikën gjeneral Sander Lleshi

Presidenti i Republikës Bujar Nishani firmos lirimin nga detyra të zv/shefit të shtabit të Forcave të Armatosura, që drejtonte forcat operacionale. Ky është dekreti që mban datën 21 maj 2013, siguruar nga Vizion plus por ende i pa publikuar në faqen e Presidencës, që nxjerr jashtë radhëve të ushtrisë gjeneralin Sandër Lleshi, me një karrierë 35-vjeçare. Dekreti i presidentit nuk ka asnjë argument përse shkarkohet nga detyra ushtaraku i lartë. Madje edhe lajmërimi i gjeneralit, është bërë në rrugë që ai e konsideron gjysmë-zyrtare. Në një intervistë për vizion plus, zoti Lleshi e cilëson anti-ligjor dhe të pamoralshëm shkarkimin e befasishëm të tij. Gjeneral Sandër Lleshi ishte emri i propozuar nga shkrimtari i njohur Ismail Kadare për postin e presidentit, vitin e kaluar, post që sot mbahet nga ish-ministri i Brendshëm Bujar Nishani. Sandër Lleshi që prej vitit 2010 mban postin e zv.shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura. Më herët ai ka qenë atashe ushtarak për 8 vite në Gjermani. Bashkë me të, kreu i shtetit ka firmosur largimin nga radhët e ushtrisë edhe të 2 gjeneralëve të tjerë, duke ndryshuar kështu 30 % të kupolës së ushtrisë.




Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com