Debati për ligjin antiracizëm në Greqi

Debati për ligjin antiracizëm në Greqi

Pavarësisht debateve të shumta dhe ndasive mes koalicionit qeverisës në Greqi, duket se paketa ligjore kundër racizmit mund të miratohet së shpejti. Liderët e tri partive qeverisëse, kryeministri Samaras i Demokracisë së Re, Venizelos i PASOK dhe Kuvelis i të Majtës Demokratike, do të diskutojnë të hënën modalitetet e fundit, për ta miratuar më pas. Nxitësit më të fortë të këtil ligji janë partitë e majta të koalicionit, PASOK dhe e Majta Demokratike. Ky ligj parashikon ndëshkime më të ashpra ndaj urrejtjes racore dhe synon të ulë ndikimin e partisë ultra-nacionaliste, Agimi i Artë. Megjithatë, partia konservatore, Demokracia e Re, ka kundërshtitë e saj, pasi zyrtarë të kësaj force kanë shprehur shqetësim, se ligji mund të cënojë lirinë e shprehjes për qytetarët grekë. Pikërisht, pas debateve të forta të një jave më parë mes Agimit të Artë dhe partisë së majtë Siriza, u dëgjuan edhe thirrjet “Heil Hitler”. Greqia është kritikuar vazhdimisht nga komuniteti ndërkombëtar për keqtrajtimin e emigrantëve dhe rolin gjithnjë e në rritje të neonazistëve të Agimit të Artë në jetën publike.




Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com